Lexo Poezi të Martin Camajt

GJAKMARRJA

Vetmia ka thithë erën e bjeshkës
dhe fije bari as fletë nuk lòt.

Të mnershëm janë korbat e zèz
në pushim mbi qarrat e vjetër
maje mali në vapë.

Mendja e njeriut nën hije shestòn
udhë gjaku
e sosjen e pagjës në mal e vrrî.

MES SHËNGJERGJAVE

Nepër palcin e eshtnave ndij
frymën e vdekjes.
Për rreth digjet ajri
e shikimi tret në udhën e pa skâj.
Më dhimben vetëm sýt:
do të shohin dhambët e amshimit
tue u mbyllë përpara.

NJI POETI TË SOTËM

Rruga jote â e mirë:
Parkat janë fytyrat ma të shëmtueme
të miteve klasike. Ti nuk shkrove për to,
por për rrasa guri e ballë njerzorë
me rrudha shum e për dashuninë.

Vargjet tua janë për t’i lexue në heshtje
e jo para mikrofonit
si të çetës së poetëve tjerë,

zemra
ndonëse nën shtatë lëkura
akull,

akull
ndonëse nën shtatë lëkura.

MOTIV I VJETËR NË KTHIM

Shtatë vasha u çuen peshë
kur ngjyra e korbit fluturoi
përmbi shtyllën e jetës:
sqepi i dukej i verdhë, gati i bardhë
mes pendlave të zeza.

Shtatë vasha u çuen peshë
e u turrën vrap me funda
në duer sa qethi mbas korbave
e vetëm me za i tretën si plafa të murmë
nën karmat e vendit tim.

Po s’erdhët ju, vasha,
kur të zbardhen pusat e ujit
në lumë përpara agimit,
ngurzohen ehde duert e foshnjeve
në palaré.

DRENI PLAK

Barijtë tradhtisht e lanë shkret bjeshkën
për ngrohësinë e vërrijeve.
Dirgjen shtigjeve tue folë me za të naltë
punë grash e qeshin
me ujin e prronit zhgrehshëm tue u derdhë,
prej pusi në pus.

Dreni plak çoi kryet prej dheut të djegun,
e vrejti gjethin e zverdhun. Mandej
shkoi e u kap me të bijtë për punë
drenushash.

I thyem e la edhe ai bjeshkën e ndoqi
gazin e prronit teposhtë, shigjetë zjarmi
mërgues për vendet e vuta e bar dimni
që kurr nuk ka me e prekë!

Kur e vranë, barijtë i hapën qepallat
e i panë ndër bebza
shum drej tue pi currila uji.

GRUEJA ME MËNGJI

Nësa ishte e re e me burrë
fëmija i thithën palcën e eshtnave:
tash i bien dhambët nji nga nji prej goje.
Pavëmendshëm në kalim
ia shtrydhin gjurmën e teshtijnë
të bijtë
për të mos i ndëgjojnë vajin.

Grueja s’e përdori mëngjinë
me ngrehë një kështjellë në det me hala peshku
dhe alga
e me ndejë e ndritun në shkamb ari,
pa të bijtë.

GJARPNI E GRUEJA

Ajo mbramë harroi trupin e vet zbuluet
e në mëngjes e gjeti pikturë të varun
në murin e gjanë dhetë pashë:
e kqyri dhe e kqyri e u zhduk.

Petkat e saj teren buzë detit
me këmishën e gjarpnit mbi gurë.
Shtërpia tha se vjen prap, ajo,
deri mbasdite.

Mbasdite vonë, gjarpni i rrejtun
doli prej nëngurit
e iu zgërdhesh vetmisë ndërsy,
veshi këmishën e vjetër e shkoi
me fjetë.

VRASJA E POETIT

Liria e fshehun ndër vargje
të poezisë
nuk ishte vetëm:
para tyne rrishin galuc roje
shpend mishngranës
me fytyrë njerëzore.

E ti ishe për ta nji bletë
tue u rropatë ka drita në qelq,
andej kufijve të botës
njerëzore.

SHKUSHULLIM

Kush iu kujtue territ që bie në luginë mbas fikjes së yjve
para agimit?
Shkatrruesi i vetes, nji krip-bardhë
e gjeti se koha e mungët
mes dritave
i hyn në palcë gurit
dhe ashtit njerëzor.

Terrin mes dy dritave
s’e duron ylli

FILL I GJETUN

Natën që shkoi u fikën dritat e mbeti
qyteti në terr deri n’agim.

Amvisat kërkuen llampat vojguri
e s’i gjetën në terr.

Në nadje ra dielli e zbeu
faqet e rrokaqiellëve.

Në nadje vrejta rrethin e andrrave
në truell
e gjeta fillin e tretun
në pikën e ndaljes së dritës.

ATY SI TASH PARA SE ME ARDHË FISET

Aty si tash para se me ardhë fiset
ishe
me tambël në plasaritjen e currave
e me themele në ujin e njelmë.
Të dhanë vetëm nji emën: Shkodra.
E të thirrën qytet me kunora
e të hodhën përkrye gur
e hekurat e para.

U zgjove e përgjakun sa herë
e u kqyre në pasqyrën tande.
Me emën grueje u lave ndër ujna
t’lumejve dhe ndeje me petka të reja
në shkamb
e ndritun ballë diellit mbi fusha.

ALTER EGO

Një zezak i verbët
me nji qen në mantel lëkure
mjedis kalldremit në qytetin e madh
të USA-s
qëndrojnë palëvizë në kambë.

Njerzia u vjen rrotull
ujë rreth nji curri binjok
në zemër të lumit.

Ujë i larmë përreth plagës
në trupin e nji gjiganti.

MBAS KRYQËZIMIT TË ZOGJVE

Erret nata e fundit e dashunisë
nisë si për lojë:
ai ec në shputa të larme
shpendësh dimnues në Veri
nëpër banesën shum-dritaresh.
Zogëza mat trollin me kambë të zeza
para se me u nisë për Jug:

zanet e jashtme të botës ushtojnë
dhe rruga asht e ndame dyshë,
gjysma akull e gjysma diell.

DALLËNDYSHA

Krahët e zez i rrah
mes flokëve të borës
mbi alpe dallëndysha
mërguese e vonueme
për Jug.
Lufton me flatra gjethi
të vjeshtës së vonë
kundra rrymave t’erës
kah qafa ma e naltë.

Çdokush ka dy shtigje para
e dallëndysha nji:
me u ba e bardhë.

NJI STINË E HUMBUN

Verës sa nji mëngjes me vesë
nuk ia pau kush ballin simjet
me sy të përlotun të sjellun
kah mali.

Vjetit nuk i mungon asnji ditë
në kalendar e i dhimbet
e mbramja pikë e dyllit në djegie:
e sotmja ka ndijen e dridhjes
së fletëve të shqemes
para dhambëve të sutës.

KALLNORI APO VETMIA

Dhé, brej e bjeshkë randue me borë
e hej akulli.
Bisha n’krahnor e zanun
rri ngusht e fle pa gjurmë përmbas
me kthetra kthye në lëkurë
nën mish.

Gardhi i rrëzuem mbi shteg
e qafa malesh përreth
të mbylluna me dhambë ujqish
në jerm.

ZAUBERSPRUCH

Hasel Hasel Hasel
tausend Farben auf dieser Erde
rote Wangen der weißen Frau
mit der schwarzen Warze
sie liebt mich nicht sie liebt mich nicht
soll der Kopf sie schmerzen
soll sie kommen soll sie sagen:
mach mich frei mach mich frei!

Hasel Hasel Hasel
meine Träume meine Träume
mein Glück mein Glück für dich
laß mich sprechen:

Roter Faden an dem Zweig
das Böse fliehe deinen Körper
Funke Funke am Stein
Elsteraugen-Herz zerbreche
Funke Funke am Stahl.

Nacht und Blitz zerberste
über dem trockenen Berg
über dem schlimmen Traum!
Hasel Hasel Hasel
Böses sei gefangen
in den Schlingen!

FORMULË MËNGJIE

Lejthia lejthia lejthia
njimijë ngjyra në këtë dhé
faqja e kuqe e grues së bardhë
me lythin e zi në mollëz
nuk më do nuk më do
e kaptë dhimba e kresë
le të vijë e të thotë:
ma largo ma largo!

Lejthia lejthia lejthia
andrrat e mia andrrat e mia
i lumi unë për ty
më le shteg me folë:

Peni u kuq në rremb
e liga larg trupit tand
shkëndija shkëndija në gurë
zemra i plastë sy-grizhës
shkëndija shkëndija n’unur.

Natë e vetmia plastë
mbi malin e thatë
mbi andrrën e keqe!
Lejthia lejthia lejthia
e liga ndër leqe!

SOSJA E VETMISË NË VAPËN E DITËS

Vapa m’zuni te rranxa e qytetit
në shkamb që sos me pallat në maje.
Vetmia shkallave guri ngreh hap mbas hapi
korpin me avull përpjetë
e nuk mbaron kurr.

Qentë mbas dyerve gërvishtin drunin
e ciasin për t’i lirue dikush kërcllatjesh
telash të ndryshkun në shtrat.
Në mende të pangjashme përlyhen
linjat e ndeme për m’u terë n’ballkone
kryq e tërthoraz.

Shì në maje, te pallati i lashtë,
vetoi ndër rreze faculeta e bardhë
në krye të saj
e krisi nji hap grueje n’shkamb
me jehonë në parzmin tim.

I SHTRUEMUN FATIT

Kam lanë përmbas zamarën e blerë,
lëvore frashni,
për brrylat e nji karrige bungu.

Në vjeshtë dhuroj fryte, pjekë në verë,
dhe mbaj për vete
skaj buzës nji rrudhë,
ravën e gazit mbi vete e tjerë.

VEND I THYESHËM

– Fiseve poshtë rreth Drinit –

Mes malit Molç e Qerretit
hapet humnera deri në lumë:
si të kish qenë ajo liqe
n’barka druni palnje ishim endë
mbi të, jeremi.

Kishim ditë përmenç
emna peshku t’ambël e jo
shpendësh rrëmbyes e bimësh
t’egra.

Edhe drita e synit e kaltër
do të ishte e jo e zezë.

N’ujë kishim notue
e jo në re.

TRAJTA

Petk i endun prej nji dore
fund e krye, trajta,
e kandshme për sy e veshë.


Trajtë e thjeshtë e lindun
ndër mundime prej guri,
e përshkueme shtigjesh të parrahuna
me kambë ose patkoj.


Pendël e lehtë në dukje
po e randë hekur në peshë,
tingull ose ngjyrë
e kthjellët deri në dritë.

© Copyright Dr. Erika Camaj

Martin Camaj Gesellschaft e.V.
Tiefenweg 3
83661 Lenggries